Policia e Tiranës ka njoftuar sot gse ka organizuar disa operacione duke goditur disa raste të veprave penale në fushën e krimeve kibernetike.
Në deklaratën për mediat kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj bëri të ditur se ka dokumentuar 62 raste të përndjekjeve online të kryera nga një i dënuar në Francë
“Dokumentimi i plotë ligjor i 62 rasteve të përndjekjeve online, kryer nga shtetasi Fabjan Dodaj, i cili vuan dënimin në burgun “Lyon Cobras” në shtetin francez. Ky shtetas, nëpërmjet profileve virtuale të falsifikuara në rrjetet sociale të krijuara nga ana e tij, me fotografi dhe gjeneralitetet e personave të dëmtuar, në mënyrë të vazhdueshme shantazhonte këta persona, më qëllim përfitimin e fotografive dhe videove intime, në këmbim të fshirjes së këtyre profileve. Falë hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që rezultonte se pulsonin nga ky burg, në bashkëpunim me INTERPOL TIRANA dhe autoritetet ligjzbatuese franceze është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi Fabjan Dodaj, dhe janë siguruar prova të mjaftueshme hetimore që implikojnë këtë shtetas në këtë veprimtari kriminale”.
Në një tjetër operacion të koduar “Cybersnare”, Policia ka arrestuar dy vëllezër të cilët shantazhonin vajzat në rrjetet sociale duke iu kërkuar shuma të ndryshme parash nga 1500 deri në 3000 euro.
“Finalizimi i operacionit policor të koduar “Cybersnare” ndjekur me metoda speciale të hetimit, gjatë të cilit janë arrestuar dy vëllezër, shtetasit Halim Malja 20 vjeç, dhe Jurgen Malja 18 vjeç, të cilët në bashkëpunimmë njëri-tjetrin, pas komunikimeve që bënin në rrjete sociale me persona të ndryshëm kryesisht të gjinisë femërore, siguronin foto dhe video intime duke krijuar më pas profile në aplikacione virtuale me gjeneralitete dhe foto të këtyre personave dhe për mospublikimin online të këtyre materialeve, kërkonin nga personat e dëmtuar shuma të ndryshme parash që varionin nga 1500 deri në 3000 euro”.
Më të njëjtën akuzë është arrestuar edhe një 22-vjeçar i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Amsterdam”.
“Finalizimi i operacionit policor të koduar “R 13” gjatë të cilit është arrestuar shtetasi Endri Xhaferri, 22 vjeç, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Amsterdam”, i cili nëpërmjet profileve virtuale të falsifikuara në rrjetet sociale të krijuara nga ana e tij, me fotografi, gjeneralitetet dhe përshkrime denigruese të personave të dëmtuar, në këmbim të fshirjes së këtyre profileve kërkonte nga personat e dëmtuar shumën prej 1000 euro”.
Në një tjetër operacion të koduar “Threat 2”, “është arrestuar shtetasi Genti Gega, 45 vjeç, i cili përndiqte online për një kohë të gjatë, një shtetase 23-vjeçare, duke i sjellë shqetësime asaj dhe familjarëve të saj”.
Ndërsa një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi shantazhonte vajza të mitura duke i kërkuar foto dhe video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me to.
“Finalizimi i operacionit policor të koduar “Intimiduesi”, gjatë të cilit është parandaluar në kohë rekord një ngjarje e mundshme kriminale që mund të sillte pasoja të rënda ndaj një shtetaseje të mitur të moshës 15 vjeç. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë zbuluar dhe dokumentuar ligjërisht dhe 2 ngjarje të vjetra dhe është arrestuar shtetasi Bernard Çullhai, 27 vjeç, i cili shantazhonte në rrjete sociale shtetase të mitura, duke i kërkuar foto dhe video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me to”.