Facebook dhe Instagram mund të mbyllen në Europë. Skenar pothuajse surreal, ëndrra e disave, makthi i shumë të tjerëve, zhdukja e rrjeteve sociale më popullorë të planetit nga tregu europian shikohet si një shantazh ekstrem i Mark Zuckerberg në betejën e të dhënave mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Paralajmërimi për shkak të rregullave europiane që ndalojnë kompaninë mëmë Meta që të transferojë, ruajë dhe përpunojë të dhënat e përdoruesve europiane në servera që ndodhen në SHBA.
Në një raport vjetor, kompania që drejton Facebook thotë se nëse nuk do të ketë ligj të ri, nuk do të përdorë më modelin aktual dhe për pasojë do të largohet nga kontinenti.
Sipas Meta, përpunimi i të dhënave të përdoruesve mes vendeve është kyçe për bizneset dhe reklamat.
“Nëse nuk do të na lejohet që të transferojmë të dhëna mes vendeve dhe rajoneve, ku ne veprojmë, do të ndikojë në shërbimet që ne ofrojmë”, thuhet në deklaratë.
Meta mendon se mund të arrijë një marrëveshje të re këtë vit, ndërsa në rast të kundërt nuk do të jetë në gjendje të ofrojë një numër shërbimesh, përfshirë Facebook dhe Instagram në Evropë.
Në korrik 2020, Gjykata Europiane e Drejtësisë anuloi traktatin me SHBA për shkak të shkeljeve në mbrojtjen e të dhënave.
Si rezultat, kompanitë amerikane u ndalohet që të dërgojnë të dhëna të përdoruesve evropianë në SHBA.
BE dhe SHBA thonë se po punojnë për një marrëveshje të re ose përmirësimin e traktatit aktual.