Aktualitet Shantazhoi një grua me video intime dhe i ngacmoi mbesën, ekstradohet nga...

Shantazhoi një grua me video intime dhe i ngacmoi mbesën, ekstradohet nga Gjermania 62-vjeçari

Një 62-vjeçar nga Kosova që akuzohet se ka kanosur një shtetase në Durrës përmes një videoje intime që posedonte, duke i kërkuar para, është ekstraduar këtë të enjte nga Gjermania.

“Ekstradohet nga Gjermania, shtetasi kosovar F. I., 62 vjeç, i arrestuar në Gjermani, në muajin gusht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Partners”.  Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë’”, informon policia.

Policia sqaron se 62-vjeçari në vitin 2020 ka ngacmuar seksualisht edhe mbesën e shtetases që shantazhonte me publikimin e videos.

“Shtetasi F. I. akuzohet se në vitin 2020, në Durrës, ka kanosur një shtetase, për dhënien e 5000 eurove, që të mos publikonte video intime të saj. Gjithashtu, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e kësaj shtetaseje. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden/Gjermani, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi në Gjermani dhe ekstradimi i tij në Shqipëri”, sqaron policia.