Të gjithë e kishin parashikuar që sharra PSG do të ngecte në gozhdë një ditë, por askujt nuk i kishtë shkuar në mendje se kjo do të ndodhte në javën e 16-të të Ligë 1.
Strasburgu bëri atë që nuk ka arritur ta bëjë asnjë skuadër deri më tani, si në Francë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve; mposhti makinerinë e Emery.
Kur gjyqtari fërshelleu nisjen e takimit në Stade de la Meinau, as tifozi me optimist vendas nuk e kishte menduar që në përfundim të 90-minutave, skuadra e tij e zemrës do të dilte me tri pikë të plota, falë fitores 2-1.
Da Costa shënoi që në minutën e 13-të për vendasit, që e ruajtën këtë avantazh deri në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Mbappe barazoi gjithçka.
Në të dytën pritej melodia e zakonshme pariziene, por që nuk erdhi kurrë, pasi jo vetëm që Neymar & Co nuk gjetën golin e avantazhit, por pësuan në minutën e 65-të, kur Bahoken kaloi edhe njëherë vendasit në epërsi, epërsi që në ndryshim nga ajo e pjesës së parë u ruajt, pavarësisht se në fushë u hodh edhe Cavani e Verrati.