Shtetet e Bashkuara arritën objektivin e vendosur nga Presidenti Joe Biden për të injektuar 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, pothuajse një muaj përpara afatit të vendosur prej tij për 100 ditët e para në detyrë.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë tashmë rreth 2.5 milionë vaksinime në ditë.
Në Britani, gjysma e të gjithë të rriturve kanë marrë tashmë të paktën një dozë vaksine për koronavirusin, duke u bërë ekonomia e parë e madhe në botë që arrin një moment të tillë të rëndësishëm.
Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock tha në Twitter se vetëm të premten ishin përdorur një rekord prej mbi 660 mijë dozash.
Izraeli është ndër vendet më të suksesshme në vaksinimin e popullsisë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara, Kili dhe më pas Mbretëria e Bashkuar. Investitorët po vëzhgojnë me kujdes se cilat ekonomi do të mund të rimëkëmben së pari.
Liderët europianë vaksinohen me AstraZeneca
Kryeministri britanik Boris Johnson mori të premten publikisht dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga AstraZeneca.
“Sapo mora dozën time të parë të vaksinës Oxford/AstraZeneca. Faleminderit të gjithë shkencëtarëve të jashtëzakonshëm, stafit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë dhe vullnetarëve që ndihmuan për të realizuar këtë”, shkroi ai në Twitter.
Ky veprim i kreut të qeverisë britanike erdhi pasi Agjencia Europiane e Barnave konfirmoi efektshmërinë dhe sigurinë e vaksinës dhe shihet nga shumë ekspertë si një lëvizje për të rikthyer besimin e qytetarëve tek vaksinat, i cenuar ditët e fundit.
Gjithashtu kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se është e gatshme të vaksinohet me vaksinën e AstraZeneca-s, pavarësisht pezullimit të saj për disa ditë.
“Po, unë do të vaksinohem me vaksinën AstraZeneca-s. Do të pres të më vijë radha, por absolutisht që do ta bëj”, këmbënguli Merkel në një konferencë shtypi.
Kryeministri i Italisë Mario Draghi gjithashtu kërkoi të garantoi italianët rreth sigurisë së vaksinës AstraZeneca, ndërsa tha se do të vaksinohej edhe vet me të.
“Unë ende nuk kam bërë një rezervim, por grupmosha ime është midis atyre që lejohen të bëjnë vaksinën dhe po, unë do të bëj AstraZeneca,” tha kryeministri Italian.
Më parë edhe kryeministri francez Jean Castex mori të premten vaksinën e AstraZeneca ndërsa përdorimi i saj filloi në mbarë vendin, pas miratimit nga rregullatori i barnave. Të tjerë udhëheqës që u vaksinuan me AstraZeneca-n ishin presidenti slloven, Borut Pahor dhe kryeministri Janez Jansa.
Ndërkohë që një sërë shtetesh europiane, përfshi Italinë, Francën kanë rinisur procesin e vaksinimit me AstraZeneca.