Policia në shtetin e Miçiganit njoftoi se ka arrestuar prindërit e një adoleshenti, ndaj të cilit janë ngritur katër akuza për vrasje të shkallës së parë, me armë zjarri, në një shkollë të mesme.
Policia njoftoi se Jennifer dhe James Crumbley, u arrestuan të shtunën herët në mëngjes në Ditroid.
Prokuroria kishte ngritur akuza për vrasje paparamendim ndaj prindërve të 15 vjeçarit lidhur me ngjarjen në shkollë. Por ata nuk u paraqitën në gjykatë të premten, duke bërë që policia të lëshonte një urdhër-arresti, duke ngritur ndaj tyre katër akuza për vrasje paparamendim, injorim të shenjave paralajmëruese lidhur me ngjarjen në shkollë si dhe mbi qasjen që i kishin siguruar djalit të tyre tek arma me të cilët ai dyshohet se kreu vrasjet.
Agjencia Associated Press njoftoi se avokati i çiftit, Shannon Smith, u ka thënë autoriteteve se ata ishin larguar nga qyteti në fillim të javës, për arsye sigurie.
Autoritetet kishin vendosur një shpërblim prej 10,000 dollarësh për këdo që jepte informacion mbi vendndodhjen e tyre.
Djali i çiftit Crumbley, 15-vjeçari Ethan Crumbley, dyshohet se ka hapur zjarr në shkollën e mesme Oksford, në qytetin me të njëjtin emër në shtetin e Miçiganit, duke vrarë katër nxënës dhe duke plagosur shtatë persona të tjerë.
Prokurorët thanë se Ethan Crumbley kishte shfaqur disa shenja paralajmëruese. Ai kishte vizatuar një pistoletë e gjak, duke shkruar gjithashtu ‘gjak kudo’ dhe ‘mendimet nuk po më ndalen, më ndihmo’.
Prokurorët thanë gjithashtu se një mësues e kishte parë adoleshentin duke kërkuar në internet për municione, në telefonin e tij, dhe se kishte njoftuar stafin drejtues të shkollës.
Prindërit e adoleshentit, James dhe Jennifer Crumbley, ishin thirrur në shkollë disa orë para sulmit me armë, por autoritetet thanë se ata nuk kishin pranuar ta merrnin atë me vete në shtëpi.