Tregjet e aksioneve në SHBA ranë përsëri ndjeshëm të hënën. Treguesi S&P 500 ra më tepër se dy për qind ndërsa DowJones rreth tre për qind.
Presidenti Donald Trump ia ka hedhur fajin Rezervës Federale (banka qendrore) për rënien e bursës dhe për probleme të tjera ekonomike.
Ai ka thënë se problemi i vetëm ekonomik në SHBA është rritja e normave të interesit. Presidenti akuzoi shefin e Rezervës Federale, Jerome Powell, se nuk e kupton tregun dhe dëmton ekonominë me rritjen e normave të interesit.
Rezerva Federale e zbriti normën bazë të interesit pothuajse në zero për të nxitur rritjen ekonomike gjatë recesionit që filloi në vitin 2007. Banka qendrore i mbajti normat e ulëta për disa vite.
Përfundimisht, rritja ekonomike rifilloi dhe papunësia ra në nivelin më të ulët në 49 vjet, prandaj zyrtarët e Rezervës Federale vlerësuan se stimuli i emergjencës nuk ishte më i nevojshëm. Drejtuesit e Rezervës Federale votuan për të ulur stimulin duke rritur gradualisht normat e interesit. Shqetësimi ishte se një stimulim tepër i madh i ekonomisë mund të nxiste inflacionin. Ekspertët thonë se një rritje e mprehtë e çmimeve mund të nxisë kërkesat për rritje pagash, gjë që do të çon një cikël tjetër të ngritjes së çmimeve.
Analistët e cituar në shtypin financiar thonë se sulmet e Presidentit Trump ndaj Rezervës Federale i bëjnë investitorët të shqetësohen se banka qendrore mund të humbasë pavarësinë e cila lejon që ajo të marrë vendime bazuar në faktorët ekonomikë dhe jo në atë që është politikisht popullore.
Disa ekspertë të ekonomisë thonë se besimi i investitorëve është tronditur nga tarifat e zotit Trump mbi partnerët kryesorë tregtarë. Rritja e kostove të tregtisë mund të zvogëlojë tregtinë dhe uljen e kërkesës për mallra dhe shërbime, gjë që ngadalëson rritjen ekonomike.
Mungesa e besimit të investitorëve mund të shkaktojnë rënien e aksioneve dhe tregjeve të tjera, pasi bartësit e aksioneve të shqetësuar shesin aksione ndërsa investitorët e mundshëm kanë frikë të blejnë. Kur kërkesa e blerësit bie, çmimet bien.
Një faktor tjetër që dëmton besimin e investitorëve është bllokimi i tanishëm politik në Uashington mbi fondet për murin kufitar me Meksikën që kërkon të ndërtojë Presidenti Trump. Kjo nënkupton se Presidenti dhe kongresi nuk bien dot dakord mbi përparësitë e shpenzimeve dhe ka shkaktuar mungesën e fondeve për të paguar disa agjenci qeveritare.
Në përpjekje për të qetësuar tregjet e turbullta, Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin foli të dielën me krerët e bankave më të mëdha amerikane, një hap i pazakontë për administratën. Ai konfirmoi se bankat i kanë paratë e nevojshme për operacionet e tyre rutinë.