Mundësia për një vaksinë kundër koronavirusit bëhet më e afërt. Kompania amerikane “Moderna” njoftoi se kishte dërguar pakon e parë të vaksinës eksperimentale mRna-1273, tek Instituti Kombëtar i Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.
Kështu, pritet të nisë faza e parë e eksperimenteve klinike ndaj një numri të caktuar personash. Vaksina bazohet në një prej teknologjive më të avancuara që janë të disponueshme sot, e cila shfrytëzon sekuencën e materialit gjenetik të koronavirusit, acidin ribonukleik.
Vaksina është fryt i bashkëpunimit të Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive dhe koalicionit për Inovacionet e Gatishmërisë Epidemike. Eksperimenti klinik pritet të nisë me 20 ose 25 vullnetarë, në fund të muajit prill, siç raportojnë mediat amerikane, ndërsa rezultatet e para do të jenë gati mes korrikut dhe gushtit.
Siç shpjegojnë ekspertët, vaksina e re është e programuar për kodifikimin e proteinës komplekse S, e përdorur si shënjestër edhe për vaksinat kundër koronaviruseve të tjera, si MERS dhe SARS. Avantazhi i kësaj qasjeje është se lejon kufizimin e infeksionit për të stimuluar një përgjigje imunitare më të fuqishme.
Ndërkaq, Australia ka përfunduar eksperimentin në laborator të një vaksine kundër Covid-19, e krijuar në vend. Lajmin e dha një ekip shkencëtarësh në universitetin e Queensland, të cilët po nisin eksperimentin te kafshët.