Aktualitet SHBA dhe BE mirëpresin zgjatjen e vetingut: Moment historik për drejtësinë dhe...

SHBA dhe BE mirëpresin zgjatjen e vetingut: Moment historik për drejtësinë dhe integrimin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri kanë përshëndetur miratimin e zgjatjes së organeve të vetingut nga Kuvendi.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale ambasada e SHBA e konsideron këtë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët – drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë Shqipërinë në këtë rrugë të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e SHBA.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca, e cilëson një moment vendimtar për reformën në drejtësi dhe të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së.

“Sot Parlamenti shqiptar tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara në pranimin në BE! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. I mirëpres gjithashtu vendimet e rëndësishme të marra nga Parlamenti shqiptar për propozimet PD-së për të çuar përpara në komisionet ad hoc të Kuvendit punën për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-OSCE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e deritanishme”, shkruan Soreca.

Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin e Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut.

“Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë. Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, shkruan OSBE-ODIHR.