Kryediplomatët e SHBA-së dhe Kinës kanë shkëmbyer paralajmërime serioze lidhur me çështjen e Tajvanit, përpara takimit virtual të së hënës mes udhëheqësve të dy vendeve.
Takimi virtual i Presidentëve Joe Biden dhe Xi Jinping, vjen nën një sfond tensionesh në rritje, të cilat lidhen pjesërisht me Tajvanin, një vend demokratik, që vetëqeveriset, e që Pekini pretendon se është territor i tij. Të tjera çështje që kanë krijuar tension mes palëve janë ato që lidhen me tregtinë, të drejtat e njeriut e çështje të tjera.
Gjatë një telefonate të zhvilluar të premten me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi për të diskutuar çështje që lidhen me takimin e nivelit të lartë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken parashtroi shqetësimin mbi “trysninë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike” të Pekinit ndaj Tajvanit.
Wang paralajmëroi rreth rrezikut që paraqesin ato veprimeve të SHBA-së që mund të lexohen si mbështetje e “pavarësisë së Tajvanit”.
Në vitin 1979 Uashingtoni ndryshoi njohjen diplomatike nga Taipei tek Pekini, por sipas një akti të Kongresit të miratuar po atë vit, Shtetet e Bashkuara u angazhuan t’i ofrojnë armë Tajvanit për vetëmbrojtje.
Qeveria amerikane është e kujdesshme të mos tregojë se e njeh Tajvanin, e për këtë qasje gëzon mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres. Këtë muaj një grup ligjvënësish vizituan ishullin, një veprim që ka shkaktuar zemërimin e Pekinit.
“Çdo bashkëpunim dhe mbështetje ndaj forcave që kërkojnë pavarësinë e Tajvanit minon paqen në të gjithë ngushticën e Tajvanit dhe do të kthehej në bumerang”, i tha zoti Wang zotit Blinken, sipas një njoftimi të autoriteteve kineze të lëshuar të shtunën, i cili i referohej telefonatës së kryer mes tyre.
Vitet e fundit Kina ka rritur aktivitetin ushtarak pranë Tajvanit. Në fillim të tetorit Pekini dërgoi një numër rekord avionësh në atë që njihet si zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit.
Uashingtoni e ka treguar vazhdimisht mbështetjen e tij për Tajvanin përballë asaj që e ka përshkruar si agresion kinez.