Rritet edhe më shumë tensioni në Detin e Koresë. Ushtria e Koresë së Jugut dhe aleatët amerikanë i janë përgjigjur testit raketor të regjimit koreano-verior të një dite më parë, ku Peniani hodhi 8 raketa me rreze të shkurtër, duke alarmuar të gjitha vendet kufitare.
Seuli dhe komanda e forcave amerikane u kundërpërgjigjën me një “stërvitje të përbashkët” të menjëhershme në fund të së cilës u hodh po e njëjta sasi raketash, një mesazh i qartë politik dhe ushtarak për Kim Jong Il, dhe që dëshmon sipas shefit të shtabit korean se “kemi aftësinë dhe vendosmërinë për të goditur menjëherë dhe me saktësi” ndaj asaj që cilësohet si një provokim që “godet paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajon, por të gjithë komunitetit ndërkombëtar”.
Qeveria japoneze deklaroi dje se ishte i paprecedentë fakti që një prej raketave ra pranë zonës ekonomike ekskluzive të Japonisë, pra shumë pranë ujërave territoriale.
Provokimet raketore të Koresë së Veriut janë shtuar shumë gjatë këtij viti, duke përkuar me zgjedhjen e presidentit të ri të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili ka një qasje shumë më të ashpër në deklarata kundrejt Penianit, duke ndryshuar politikën e Seulit zyrtar të ish-presidentit Moon Jae-in, i cili kishte promovuar dialogun mes palëve të ndara tashmë nga vitet ’50, njëra si aleate e vendeve perëndimore dhe tjetra si një nga vendet më të izoluar në botë.