Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar këtë të enjte, me një diferencë të ngushtë votash, projektligjin për të shfuqizuar pjesë të të ashtuquajturit “Obamacare” dhe për ta zëvendësuar atë me një plan republikan mbi kujdesin shëndetësor, duke i dhënë kështu presidentit Donald Trump fitoren më të madhe legjislative deri më sot. Por njëkohësisht, duke shtuar perspektivën e një beteje të ashpër në Senat, në muajin qershor.
Me 217 vota pro dhe 213 kundër, republikanët siguruan mbështetjen e mjaftueshme për të kaluar projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve, e për ta çuar atë për t’u konsideruar në Senat. Sot, asnjë demokrat nuk votoi në këtë seancë të rëndësishme.
Kalimi i këtij projektligji përfaqëson një hap jetik drejt përmbushjes së një prej angazhimeve kryesore të fushatës presidenciale të Trumpit, si dhe kërkesës 7-vjeçare të republikanëve për të zhbërë ligjin për kujdesin shëndetësor të ish-presidentit demokrat Barack Obama. Por përpjekja tashmë do të përballet me pengesa të tjera në Senat, ku vështirë se do të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme të republikanëve atje.
Vota e së enjtes ishte gjithashtu një fitore politike për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, që demonstroi kështu aftësinë e tij për të bashkuar grupin e ndarë të republikanëve pas dy përpjekjeve të dështuara këtë vit për të siguruar konsensusin mbi legjislacionin e kujdesit shëndetësor.
Demokratët shpresojnë që vota e republikanëve për të shfuqizuar “Obamacare” do të nxisë reagimin e votuesve në zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm për Kongresin.
Rreth 20 milionë amerikanë përfituan nga mbulimi i kujdesit shëndetësor falë Aktit për Kujdes të Përballueshëm Shëndetësor të vitit 2010 të firmosur nga Obama, që ka siguruar së fundi edhe mbështetje në sondazhet e opinionit publik. Por republikanët e kanë sulmuar prej një kohe të gjatë atë, duke e parë programin si tejkalim të qeverisë dhe janë ankuar se ka shtuar kostot e kujdesit shëndetësor.
Plani republikan, i njohur zyrtarisht si Akti amerikan për Kujdes Shëndetësor, synon të shfuqizojë shumicën e taksave të “Obamacare”, përfshi penalitetin për mosblerjen e sigurimeve shëndetësore.