Teksa SHBA e BE përgatiten t’i vendosin sanksione Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus dhe kërkimet për gaz në Qipro, Ankaraja u kërkon atyre reflektim para marrjes së vendimeve. Duke folur për mediat turke, Erdogan ftoi shefin e Shtëpisë së Bardhë që të gjejnë një rrugë të mesme, për sistemin raketor S-400, blerja e të cilit nga Ankaraja kundërshtohet ashpër nga Uashingtoni.
“Trump ka autoritetin të shmangë ose të shtyjë sanksionet për çështjet e armatimit. Trump ka në dorë gjetjen e një rrugë të mesme për këtë çështje. Me blerjen e sistemit S-400, ne nuk përgatitemi për luftë, por po përpiqemi të garantojmë paqen dhe sigurinë tonë kombëtare”, tha Erdogan.
Senatorin demokrat Robert Menedez, që propozoi heqjen e embargos së armëve për Qipron, Erdogan e etiketoi si “armik të Turqisë”. Ndërsa për sanksionet e paralajmëruara nga Bashkimi Europian, kreu i shtetit turk tha se ato nuk kishin fuqi detyruese ndërkombëtare ndaj dhe impakti i tyre në ekonominë turke do të ishte minimal.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu i ofroi dialog qeverisë qipriote për çështjen e kërkimeve për gaz në detin Egje. Ai paralajmëroi se Turqia do të vijojë kërkimet për gaz në mënyrë të pavarur, deri kur turko-qipriotët të përfshihen në projektet e kërkimeve për gaz që po kryen Qipro greke.