Gjykata e Lartë e SHBA-së bllokoi të enjten një urdhër të administratës së Presidentit Joe Biden për vaksinim ose testim të detyrueshëm për COVID-19 në bizneset e mëdha, në një kohë kur infeksionet po përhapen me shpejtësi.
Nga ana tjetër, gjykata më e lartë e vendit la në fuqi urdhrin për vaksinim të punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Gjykata i mori vendimet pasi dëgjoi të premten argumentet pro dhe kundër në betejën ligjore mbi urdhrat për vaksinimin e detyruar që u ndërmorën nga dy agjenci federale me synimin për rritjen e normave të vaksinimit në SHBA dhe sigurisë në vendet e punës dhe mjediset e kujdesit shëndetësor.
Këto çështje vunë në provë se deri ku mund të shkojnë kompetencat presidenciale për të përballuar krizën në rritje të shëndetit publik që deri tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 845,000 amerikanëve.
Gjykata ishte e ndarë në të dyja rastet. Gjykata vendosi me gjashtë vota të anëtarëve konservatorë pro dhe tre të atyre liberalë kundër, për të bllokuar vendimin për vaksinimin e detyruar në bizneset me më shumë se 100 punonjës.
Për të mbajtur në fuqi detyrimin për vaksinimin e punonjësve shëndetësore, votimi ishte 5-4, pasi kryetari i gjykatës John Roberts dhe gjykatësin Brett Kavanaugh, të dy konservatorë iu bashkuan krahut liberal.
“Ne nuk jemi autoritet shëndetësor”
Gjyqtarët konservatorë theksojnë në argumentimin e tyre, se ata nuk kanë gjykuar në thelb mbi legjitimitetin e detyrimit për vaksinim, por lidhur me atë se cili është organi kompetent për ta marrë këtë vendim: A ishte urdhëresa legjitime dhe a është ky autoritet federal përgjegjës për këtë? “Kjo gjykatë nuk është autoritet shëndetësor“, nënvizojnë gjyqtarët. Problemet e kujdesit shëndetësor janë nën kompetencën e shteteve federale dhe të komunave.
Pandemia po vazhdon prej dy vjetësh, por kongresi në Uashington nuk ka votuar që t’ia kalojë OSHA-së ose një tjetër autoriteti federal kompetencën për të urdhëruar detyrimin për vaksinë, shpjegojnë gjyqtarët. “Ajo që na u parashtrua ne për zgjidhje nuk ishte reagimi ndaj pandemisë, por kush i ka kompetencat për të vendosur mbi këtë”, shkruajnë gjyqtarët. Në një rast të tillë përgjigja është e qartë: “në bazë të së drejtës aktuale kompetencën e kanë shtetet federale dhe kongresi, jo OSHA-ja.”
Çështja e vaksinimit në SHBA
Presidenti Joe Biden tha se ai ishte “i zhgënjyer që Gjykata e Lartë vendosi të bllokojë udhëzimet e arsyeshme për shpëtimin e jetës për punonjësit e bizneseve të mëdha”, udhëzime që sikurse tha “ishin të bazuara plotësisht në shkencë dhe ligj”.
Biden u bëri thirrje bizneseve të vendosin rregullat e tyre lidhur me vaksinimin, dhe vuri në dukje se një pjesë e mirë e kompanive e kanë bërë tashmë një gjë të tillë.
Entitetet që kishin ngritur paditë, përfshirë shtete të drejtuar nga republikanë dhe një aleancë biznesi dhe grupesh fetare, kishin argumentuar se agjencitë federale kishin tejkaluar kompetencat e tyre, kur lëshuan urdhrat pa autorizimin e Kongresit.
Shqyrtimi i këtyre dy çështjeve nga Gjykata e Lartë nxori në pah se sa përçarëse është bërë çështja e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara.