Shtetet e Bashkuara goditën balonën e dyshuar spiune të Kinës që u pa të fluturonte mbi Amerikë përgjatë kësaj jave. 3 aeroporte dhe hapësira ajrore në brigjet e Karolinës së Jugut u mbyllën, pasi avionët ushtarakë amerikanë goditën objektin mbi Oqeanin Atlantik.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, pamjet tregojnë se balona ra në det pas një shpërthimi të vogël. Për eliminimin e saj u angazhuan avionët e Forcave Ajrore dhe Rojeve Bregdetare që operuan mes Wilmington, Karolinës së Veriut dhe Myrtle Beach.
Associated Press, duke cituar burime, tha se Presidenti Biden kishte dhënë miratimin për ta goditur balonën mbi Oqeanin Atlantik, ku mund të merren edhe mbetjet e saj. Biden u përball me presion të madh për ta rrëzuar atë, qëkur u shfaq për herë të parë në qiellin amerikan.
Shfaqja e kësaj balone në SHBA vjen në një kohë tensionesh mes Washington-it dhe Pekinit. Sekretari i Shtetit Antony Blinken anuloi udhëtimin e planifikuar në Pekin, prej kësaj çështjeje.
Blinken tha se prania e balonës “spiune” ishte “një akt i papërgjegjshëm”. Megjithatë, Kina, e cila pretendon se balona përdoret për qëllime kërkimore dhe meteorologjike dhe që ka përfunduar gabimisht në SHBA për shkak të erës, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me qetësi.
Nga ana tjetër, SHBA raportoi për një balonë të dytë kineze që fluturoi mbi Amerikën Latine të premten.
Kina ka shprehur keqardhje për incidentin. Në një reagim këtë të shtunë tha se “nuk kishte shkelur kurrë territorin dhe hapësirën ajrore të asnjë vendi sovran”.
Sipas zyrtarëve amerikanë, balona fluturoi mbi Alaskë dhe Kanada përpara se të shfaqej mbi shtetin amerikan të Montanës, ku ndodhen disa qendra raketore bërthamore.
Incidenti zemëroi zyrtarët e lartë amerikanë. Blinken deklaroi se i kishte thënë Pekinit se prania e balonës ishte “një shkelje e qartë e sovranitetit të SHBA dhe ligjit ndërkombëtar” dhe “një akt i papërgjegjshëm” në prag të vizitës së tij në Kinë.
Kryediplomati amerikan do të vizitonte Pekinin nga 5 deri më 6 shkurt për të zhvilluar bisedime për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë sigurinë, Tajvanin dhe Covid-19. Ky do të ishte takimi i parë i nivelit të lartë SHBA-Kinë, në vite.
Por planet dështuan pasi zyrtarët e mbrojtjes amerikane njoftuan se po gjurmonin një balonë gjigante spiune mbi SHBA të enjten. Të premten, Kina pranoi se balona ishte pronë e saj, duke thënë se ishte një mjet fluturues civil i përdorur për kërkime meteorologjike, i cili ndryshoi kurs për shkak të motit të keq.
Sa i përket balonës të dytë, nuk ka patur ende një reagim zyrtar nga Kina.
🤡BREAKING: US has shot down the China spy balloon pic.twitter.com/heqNOzcF9J
— Truthseeker (@Xx17965797N) February 4, 2023