Shtetet e Bashkuara të Amerikës po qëndrojnë në krah të Shqipërisë për të përballuar pandeminë globale të COVID-19. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranës, Yuri Kim me anë të një postimi në “Twitter”, njofton se vendi që ajo përfaqëson do t’i dhurojë Shqipërisë 1.2 milionë dollarë.
Ajo shkruan se kjo shumë monetare do të shkojë për përgatitjen e sistemeve laboratorike, aktivizimin dhe mbikëqyrjen e rasteve, por edhe për të ndihmuar ekspertët e fushës në sektoprin e shëndetësisë.
“Fondi amerikan për të ndihmuar Shqipërinë të luftojë COVID-19 arrin në 1.2 milionë dollarë, duke e çuar në 693 milionë dollarë ndihmën totale të SHBA për Shqipërinë në 20 vitet e fundit. Kjo shumë do të ndihmojë në përgatitjen e sistemeve laboratorike, aktivizimin dhe mbikëqyrjen e rasteve, mbështetjen e ekspertëve teknikë”, shkruan Yuri Kim, ndërsa publikon edhe njoftim të Departamentit të Shtetit Amerikan, që tregon vendet që Amerika do të ndihmojë në kuadër të përballimit të pandemisë globale të COVID-19.
Update: US funding to help Albania fight #COVID19 now totals $1.2M, building on >$693M in total assistance over last 20 yrs. This will help prepare lab systems, activate case surveillance, support technical experts, bolster risk communications. https://t.co/y8Mgb1hqcR https://t.co/nRpSG9EapG
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) April 17, 2020
Ndihma është pjesë e përpjekjeve humanitare që po organizon SHBA si përgjigje ndaj pandemisë së COVID-19 në të gjithë botën.
USAID, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, ka caktuar rreth 508 milionë dollarë në total, të cilat do të jepen në formën e ndihmave humanitare dhe ekonomike nëpërmjet OJQ-ve që po ndihmojnë komunitetet e ndryshme në të gjithë botën.
200 milionë dollarë do të përdoren për të ndihmuar sistemet shëndetësore, 195 milionë do të jepen me ndihma humanitare, dhe 50 milionë për Fondin e Mbështetjes Ekonomike, që ndihmon qeveritë dhe OJQ-të në 100 vende të rrezikuara nga pandemia.
Nga vendet e BE-së, SHBA-të i ofrojnë 50 milionë dollarë Italisë, nga 500 mijë dollarë Bullgarisë dhe Greqisë, si dhe 800 mijë Rumanisë.
Për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë caktuar nga 1.2 dhe 1.1 milionë dollarë, përveç Malit të Zi, që do të ndihmohet me 300 mijë dollarë.