Zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë njoftuan kryerjen me sukses të testimit në Alaska të një sistemi të ri mbrojtës me raketa. Sistemi izraelito-amerikan “Arrow 3” u prodhua bashkarisht nga të dyja vendet dhe synon të interceptojë raketat e lëshuara mbi atmosferën e Tokës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se testimi i suksesshëm i sistemit të mbrojtes me raketa “Arrow-3” i tejkaloi të gjitha pritshmëritë.
“Testimi i sistemit ‘Arrow 3’ arriti me sukses të plotë interceptimin e raketave balistike jashtë atmosferës, në lartësi dhe me shpejtësi që nuk i njihnim deri më tani. Ekzekutimi ishte perfekt dhe secila raketë e goditi objektivin e saj. Nga sot, Izraeli ka aftësinë të veprojë kundër raketave balistike të lëshuara drejt nesh nga Irani apo çdo vend tjetër. Kjo është një arritje e madhe për sigurinë e Izraelit. Të gjithë armiqtë tanë duhet ta dinë se do t’i mundim, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, David Friedman, tha se administrata Trump ishte e kënaqur me rezultatet dhe shtoi se sistemi “Arrow 3” do të shërbejë si një element kyç i mbrojtjes me raketa të Izraelit.
“Rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Jemi shumë krenarë për partneritetin tonë me shtetin e Izraelit, si dhe që mundësuam financimin, ekspertizën teknike dhe ofruam hapësirën tonë ajrore në Alaskë për të zhvilluar këtë testim. Ky është një shembull i jashtëzakonshëm dhe i paprecedent i bashkëpunimit mes dy vendeve tona të mrekullueshme, të cilin mund ta zgjerojmë më tej, me synimin për ta bërë botën një vend më të sigurtë”, tha Ambasadori Friedman.
Sistemi “Arrow 3” është pjesë e një rrjeti kompleks izraelit të mbrojtjes me raketa, ku përfshihet edhe “Iron Dome” (Kubeja e Hekurt), e cila intercepton raketat me rreze të shkurtër, apo “David’s Sling” (Llastiqet e Davidit) që godet raketat me rreze të mesme.
Izraeli zhvilloi sistemin “Arrow 3” (Shigjeta 3) për interceptimin e raketave me rreze të gjatë, me ndihmën e kompanisë amerikane të prodhimit të avionëve Boeing. Sistemi u instalua për herë të parë në vitin 2017./VOA