Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të marrin shënim “emrat” gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të një rezolute që kritikon njohjen nga ana e saj të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Përfaqësuesja e përhershme, Nikki Haley paralajmëroi vendet anëtare se presidenti Donald Trump i ka kërkuar asaj të raportojë për të gjithë ata, që do të votojnë kundër Amerikës.
Projektrezoluta nënvizon se, çdo vendim mbi statusin e Jeruzalemit nuk do të ketë efekt ligjor dhe duhet të anulohet. Të hënën, SHBA-të vendosën veton për një mocion të ngjashëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Statusi i Jeruzalemit është një çështje që qëndron në zemër të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Izraeli pushtoi lindjen e qytetit, që më herët ishte nën kontrollin e Jordanisë, në vitin 1967, dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytetin e tij të pandarë.
Palestinezët pretendojnë se Jeruzalemi Lindor është kryeqyteti i shtetit të ardhshëm dhe statusi i tij përfundimtar duhet të diskutohet në fazat e mëtejshme të bisedimeve për paqe.
Sovraniteti i Izraelit mbi Jeruzalemin nuk është njohur asnjëherë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet aktualisht i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Sidoqoftë, presidenti Trump i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të nisë punën për të zhvendosur Ambasadën amerikane në Jeruzalem.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me 193 anëtarë, do të mbajë një takim të rrallë të posaçëm, me kërkesë të vendeve arabe dhe myslimane, që dënojnë vendimin e Trumpit për të përmbysur dekada të tëra politikë të jashtme amerikane.
Palestinezët kërkuan takimin e Asamblesë së Përgjithshme, pasi SHBA-të vendosën veton ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit, që nuk përmendte Amerikën, por pohonte se çdo vendim mbi statusin e Jeruzalemit nuk do të kishte efekte ligjore, do të ishte i pavlefshëm dhe duhej anuluar.
Ajo po ashtu u kërkonte vendeve të mos vendosnin misionet e tyre diplomatike në qytetin e shenjtë. Të 14 vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan pro marrëveshjes, por Haley e quajti atë një fyerje dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta harronin këtë.