Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zgjatjen e afatit të trupës së Vettingut në Shqipëri.
Pas një takimi që zhvilloi me kreun e OSBE-së në Tiranë Vicenso Del Monako, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha Kuvendi duhet të miratojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerit Publik.
“U takova sot me ambasadorin e OSBE-së Del Monako për të diskutuar një sërë çështjesh. Ne jemi dakord që në përputhje me rekomandimin e IMO-së, Parlamenti duhet të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e Vettingut. Gjithashtu pajtohemi që autoritetet dhe palët duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet”, tha Kim.
Zgjatjen e Vettingut e ka kërkuar edhe Partia Socialiste, e cila ka theksuar se kjo është e domosdoshme për të vijuar më tej procesi i kontrollit të figurës për pjesën e mbetur të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por Partia Demokratike ka hezituar deri më tani të japë pëlqimin e saj për këtë propozim, duke bërë të ditur se më parë duhet bërë një analizë e plotë për punën e bërë deri më tani nga anëtarët e komisioneve të Vettingut.
Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe komisionerëve publik përfundon në Qershor të vitit të ardhshëm.