Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë e krahasoi mënyrën se si e trajtoi Kina çështjen e koronavirusit me fshehjen që Bashkimi Sovjetik i bëri shpërthimit të termocentralit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986.
Këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien tha se Pekini e dinte qysh në nëntor se çfarë po ndodhte me virusin, i cili e kishte origjinën në Wuhan, por gënjeu Organizatën Botërore të Shëndetit dhe i pengoi ekspertët e huaj që të merrnin informacion.
“Ata lëshuan në botë një virus që i shkaktoi Amerikës triliona dollarë humbje ekonomike dhe tani na duhet të shpenzojmë për të mbajtur gjallë ekonominë tonë, për t’i mbajtur amerikanët në punë gjatë kësaj pandemie”, tha zoti O’Brien për televizionin NBC.
“Fshehja që ata i bënë virusit do të hyjë në histori, së bashku me Çernobilin. Dhjetë ose 15 vjet më vonë do të shohim një program special në HBO për këtë temë”, tha ai duke iu referuar një miniseriali televiziv.
Katastrofa e termocentralit bërthamor të Çernobilit në ish republikën sovjetike të Ukrainës shkaktoi një rrezatim bërthamor që çoi në vdekjen e dhjetëra njerëzve brenda pak javësh dhe detyroi dhjetëra mijëra të tjerë të largohen.
Me shumë vonesë Moska tregoi më në fund përmasat e tragjedisë, të asaj që vlerësohet si aksidenti më i rëndë bërthamor në histori.
Presidenti amerikan Donald Trump është ankuar në mënyrë të përsëritur për trajtimin që Kina i bëri shpërthimit të koronavirusit.
Kina i ka mohuar akuzat dhe kryediplomati i saj akuzoi të dielën Shtetet e Bashkuara se po përhapin gënjeshtra.
“Ky është një problem i vërtetë dhe po i kushton Amerikës dhe botës mijëra e mijëra jetë njerëzish sepse informacioni i vërtetë nuk u lejua të dilte,” tha zoti O’Brien.
“Çështja u fsheh, por një ditë ne do t’i shkojmë asaj deri në fund”, tha ai.