Bota shqiptare humbi një mundësi të kishte “njeriun” e saj në krye të Shërbimeve të Inteligjencës Amerikane (DNI). Kongresmeni i Teksasit John Ratcliffe, në thelb “dora e djathtë” e presidentit amerikan, por dhe një mbështetës i njohur i lobit shqiptar tërhoqi të premten në mesnatë kandidaturën, pas kërkesës që i bëri presidenti amerikan.
53-vjeçari është i lidhur fort me komunitetin shqiptar në SHBA. Në vitin 2016, Ratcliffe mori pjesë në Forumin Kombëtar Ekonomik të Diasporës Shqiptare, ku foli dhe u fotografua duke formuar shqiponjën.
Ratcliffe pati shumë takime me ministrin Shqiptar të Diasporës Pandeli Majko dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu. Por mesnatën e së premtes Ratcliff njoftoi se tërhoqi kandidaturën e tij për postin e drejtorit të Shërbimeve të Inteligjencës.
Duke përmendur shpifjet mediatike dhe sulmet e padrejta që shënjestruan Kongresmenin Republikan, John Ratcliffe, presidenti amerikan Donald Trump tha se ai do të emërojë dikë tjetër në krye të Agjencisë së Inteligjencës Kombëtare.
“Ratcliffe po trajtohet shumë padrejtësisht nga mediat”, shkroi Trump në ‘Twitter’ të premten.
Kongresmeni i Teksasit ra dakord të qëndronte në Dhomën e Përfaqësuesve pasi Trump i shpjegoi se sa “e tmerrshme do të ishte që ai dhe familja e tij të merreshin me këta njerëz për muaj”, sipas presidentit.
“Unë nuk dëshiroj që një debat i sigurisë kombëtare dhe inteligjencës që merret me konfirmimin tim, të bëhet një çështje thjesht politike dhe partizane. Vendi që ne të gjithë e duam meriton që kjo çështje të trajtohet si një shqetësim amerikan”, shkroi në ‘Twitter’, Ratcliffe.
Trump tha se ai synon të emërojë menjëherë dikë tjetër në postin e shefit të Agjencisë së Inteligjencës Kombëtare.