Bota SHBA, Mineapolisi do të shkrijë departamentin e policisë

SHBA, Mineapolisi do të shkrijë departamentin e policisë

Pas vdekjes së George Floyd nga arrestimi i kryer me dhunë të tepruar prej katër policëve, të cilët tashmë janë arrestuar, me mijëra protestues në dhjetëra qytete të SHBA-ve kanë kërkuar që të ulen fondet për policinë e t’u kalojnë kategorive të tjera në dobi të komunitetit.

Me qindra njerëz u mblodhën në varrimin e tij, në Teksas të SHBA-ve. Ndërsa në qytete të tjera janë mbajtur ceremoni mortore në të njëjtin orar, ku janë nderuar edhe viktimat e tjera të dhunës policore.

Në Mineapolis, qytetin ku ndodhi arrestimi dhe ku protestat çuan në djegien e rajonit të policisë e të shumë bizneseve, ka pasur edhe kërkesa që të shpërbëhet plotësisht departamenti aktual i policisë dhe të ngrihet një tjetër, nga e para.

Kryetari i bashkisë, prej të cilit varet departamenti i policisë, nuk ishte dakord me propozime të tilla dhe vazhdoi të premtojë reforma.

Por anëtarët e këshillit bashkiak thonë se kanë formuar një shumicë aq të sigurt votash sa nuk i ndalon dot as vetoja e kryetarit të bashkisë, siç është njoftuar në Twitter nga një prej anëtareve të këshillit.

Ata kanë arritur në përfundimin se reformimi i departamentit të tanishëm të policisë është i pamundur, për shkak se çdo përpjekje reformash në të shkuarën ka qenë e kotë.

Policia e re që mund të ngrejë bashkia, nëse kjo procedurë arrin të realizohet, do të ndalojë përdorimin e dhunës, do të heqë shumë mjete të nivelit ushtarak që i ofrohen policisë, do t’i trajnojë policët e rinj nga fillimi me mënyra paqësore, si dhe masa të tjera që priten të diskutohen.