Aktualitet SHBA ndihmon ushtarakisht vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë

SHBA ndihmon ushtarakisht vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë

Nga rreth një miliard dollarë ndihmë ushtarake që Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi për 17 vende evropiane, 23 milionë do të shkojnë në Mal të Zi për forcimin e sektorit të mbrojtjes.

Nuk dihet ende se sa para do të marrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Serbisë, janë po ashtu në listë, raporton REL.

Ministria e Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se kjo ndihmë, e cila i ndahet edhe Ukrainës, tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “për të ardhmen e Ukrainës si një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe për sigurinë e aleatëve dhe të partnerëve në të gjithë rajonin”.

Që kur administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, mori mandatin në janar të vitit 2021, SHBA-ja ndau rreth 15.2 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën – sidomos nga fundi i shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e këtij vendi.

Më 8 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prezantoi një ndihmë të re prej 2.2 miliardë dollarësh, por përveç Ukrainës, ajo do t’u ndahet edhe 17 vendeve të tjera.

Ukraina, përmes këtij programi, i njohur si “Foreign Military Financing”, do të marrë një miliard dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet midis vendeve të tjera.

“Ato do të përfshijnë shumë nga aleatët tanë të NATO-s, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të sigurisë, që janë në rrezik potencial nga agresioni i ardhshëm rus”, tha Blinken nëpërmjet një deklarate.

Reuters, më vonë, transmetoi deklaratën e një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tha se pjesa tjetër e parave do të ndahej midis Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

E njëjta gjë u konfirmua një ditë më vonë në Twitter nga misioni amerikan në NATO.