SHBA ndjek raketën hapësinore kineze të dalë nga kontrolli
Komanda e Forcës Hapësinore të SHBA-së njoftoi se po ndjek itinerarin e një raketë hapësinore që i përket Kinës, e cila ka dalë nga kontrolli dhe pritet të bjerë në sipërfaqen e Tokës në fundjavë.
Dalja nga kontrolli e raketës ”Long March 5B”, që i përket Kinës, ka vënë në alarm botën.
Mice Howard, një nga zëdhënësit e Pentagonit tha se presin që raketa të ulet në sipërfaqen e Tokës më 8 maj dhe se itinerari i raketës po ndiqet nga Forcat Hapësinore të SHBA-së.
Ai theksoi se aktualisht nuk e dinë se ku do të bien saktësisht mbetjet e raketës dhe se kjo mund të parashikohet disa orë përpara se raketa të ulet në tokë.
Kina javën e kaluar përdori këtë raketë me qëllim për të lëshuar pjesët e stacioneve të saj hapësinore.
Pas daljes së raketës nga kontrolli disa nga pjesët u dogjën, ndërkohë ka shqetësime se disa nga pjesët e raketës 22 tonëshe mund të bjerë mbi vendbanime.
Mënyra e projektimit të pajisjes Long March 5B tregon se pjesa kryesore nuk mund të drejtohet dhe është e pamundur të ketë trajektore për të rënë në det në një pikë të paracaktuar.
Astrofizikani Jonathan McDowell i Qendrës së Astrofizikës “Harvard & Smithsonian” të Kembrixhit në SHBA tha se “ne nuk e dimë se ku do të ndodhë rihyrja. Në rastin më të keq, do të jetë si një përplasje e vogël avioni, por e shtrirë në një vijë mbi qindra kilometra”.
“Është e pasigurt se sa fragmente do të mbeten pas rihyrjes në atmosferë, por do të jenë mjaftueshëm për të shkaktuar dëme”, shtoi McDowell.
Meqenëse faza kryesore e raketave orbiton Tokën rreth çdo 90 minuta, është e pasigurt saktësisht se kur dhe ku ka të ngjarë të hyjë në atmosferë dhe të digjet pjesërisht.
“Mundësia më e mundshme është që pjesa thelbësore të bjerë në një vend të pabanuar, si oqeanet e Tokës, që mbulojnë 70 % të planetit”, shkroi eksperti Andrew Jones në spacenews.com.
“Shanset që një individ i veçantë të goditet nga mbeturinat hapësinore janë jashtëzakonisht të ulëta, pasi vlerësohen një në disa trilionë”, shtoi ai.