Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur të ofrojë një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacionet që do të çojnë në arrestimin e katër djemve të ish-bosit të Kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Shpërblimi është vendosur për Ovidio Guzmán López, Iván Archivaldo Guzmán Salazar, Jesús Alfredo Guzmán Salazar dhe Joaquín Guzmán López. “Të katërt janë anëtarë dhe drejtues të nivelit të lartë të kartelit dhe mbi secilin rëndojnë akuza federale nga SHBA për trafik të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin për mediat të publikuar nga DASH.
Autoritetet amerikane thonë se pas arrestimit të babait të tyre, “Los Chapitos” – siç quhen djemtë e tij – janë përfshirë në drejtimin e operacioneve të trafikut të drogës. Më parë, shpërblimi prej 5 milionë dollarësh ishte vendosur edhe për vëllain e El Chapos, Aureliano Guzman. Kryesori prej vëllezërve, konsiderohet Ovidio Guzmán.
Por pavarësisht shtimit të përpjekjeve të autoriteteve amerikane për arrestimin e djemve dhe vëllait të El Chapos, presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador, deklaroi se agjentët e FBI nuk do të lejohen të kryejnë arrestime në territorin meksikan.
El Chapo u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019 dhe po e vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë ne Kolorado të Shteteve të Bashkuara. Më 30 nëntor, edhe gruaja e tij Emma Coronel, u dënua 3 vite burg për rolin e saj në trafikun e drogës dhe pastrim parash.