Pentagoni ka vendosur që t’u japë vaksinën e koronavirusit të burgosurve në Guantanamo, mes të cilëve ka edhe të akuzuar për sulmet e 11 shtatorit 2001, kur u rrëzuan Kullat Binjake.
“New York Times” citon Clayton G. Trivett Jr., një prej prokurorëve në çështjen e shtetit amerikan kundër 5 prej të akuzuarve. Ai u ka shkruar avokatëve mbrojtës të të akuzuarve se një zyrtar në Pentagon ka firmosur një dokument ku miratohet dërgesa dhe administrimi i vaksinës te të burgosurit e Guantanamos.
Vaksinimi i personelit ushtarak dhe mjekësor që është i stacionuar në bazën amerikane në Kubë, ku ndodhen rreth 6000 persona, ka nisur që më 8 janar, por administrata Trump nuk kishte pranuar të thoshte nëse të burgosurit do të vaksinoheshin.
Në burgun e Guantanamos ndodhen 40 të burgosur, të cilët do të kenë mundësi të marrin vaksinën nga e hëna, por kjo do të bëhet në bazë të vullnetit të tyre dhe jo me detyrim, thuhet në letrën e prokurorit Trivett.
Deri tani, nuk ka informacion sa persona janë të infektuar me koronavirus në Guantanamo.
Një prej emrave më famëkeq që ndodhen në burg është Khalid Sheikh Mohammed, i konsideruar si organizatori i sulmeve të 11 Shtatorit, ku humbën jetën 2976 amerikanë. Figura të tjera të terrorizmit islamik që qëndrojnë pas hekurave atje janë Encep Nurjaman, Mohammed Nazir Bin Lep dhe Mohammed Farik Bin Amin, të tre pjesëtarë të grupit ekstremist Jemaah Islamiyah, degë e Al-Qaedas në Azinë Juglindore.
Vendimi është kritikuar mjaft nga opinioni publik në SHBA, ku janë ende miliona vetë që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit. Tom Von Essen, i cili ka qenë shefi i Zjarrfikësve të Nju-Jorkut në kohën e sulmeve tha: “Ky vendim i qeverisë është qesharak, edhe sikur të duash, nuk i shpik dot këto vendime”.