Gazeta greke “Kathimerini” referon sot një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit sipas të cilit vihet në dukje fakti se ShBA nuk njeh pretendimin e Greqisë për hapësirën e vet ajrore.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, hapësira ajrore e një vendi përputhet me atë të detit territorial. ShBA njeh pra një hapësirë ajrore prej 6 miljesh që përputhet me detin territorial. Greqia dhe ShBA nuk ndajnë një pikëpamje mbi zgjatimin e hapësirës ajrore të Greqisë”, thuhet në raport.
Dokumenti në fjalë i jep një goditje diplomatike përpjekjeve të Athinës zyrtare për të denoncuar ato që i quan shkelje të hapësirës së vet ajrore nga Turqia. Sipas këtij dokumenti, paqartësia në caktimin e kufijve e bën të vështirë vlerësimin e shkeljeve të pretenduara.
Ky përcaktim në të vërtetë injoron pretendimin zyrtar grek për hapësirë ajrore 10 milje që thuhet se daton si i tillë që në vitin 1936. Në terma praktikë, ai i krijon hapësirë veprimi Turqisë që kërkon zgjerim të natyrshëm në Egje, zgjerim i cili në thelb është rishikim i ndarjeve të vjetra territoriale.