Nuk ndalet apeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë. Pas kryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit Amerikan Bob Menendez dhe Anëtarit Jim Risch, një ditë më parë, sot një tjetër mesazh vjen edhe nga përfaqësuesit Gregory W. Meeks dhe Michael McCaul.
Kryetari dhe Anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës, përmes një deklarate përpara zgjedhjeve shqiptare i kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që votuesit të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna.
“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare në 25 Prill, ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit janë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna. Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit, ata që janë aktualisht në detyrë si dhe ata që shpresojnë të zgjidhen, të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të prosperuar për popullin shqiptar”, përfundon deklarata.