Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përjashtojnë një ndërhyrje ushtarake në ishujt Solomon në Paqësor, nëse Kina vendos krijimin e bazave aty.
“The Guardian” citon një “nga zyrtarët më të lartë të SHBA në Paqësor” i cili nuk e ka përjashtuar këtë opsion. Ambasadori Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretar për Azinë Lindore dhe Çështjet e Paqësorit ka thënë se një ekip amerikan ka zhvilluar një takim “kontruktiv dhe të këndshëm” me kryeministrin Manasseh Sogavare me të cilin janë ndarë shqetësimet e palës amerikane.
“Ne donim t’u vinim në dukje miqve tanë në ishujt Solomon shqetësimet tona. Kryeministri ka thënë se marrëveshja me Kinën ka vetëm implikime të brendshme, por ne bëmë të qartë se ka implikime potenciale rajonale të sigurisë dhe jo vetëm për ne”, ka thënë ambasadori.
Ai ka konfirmuar respektin për sovranitetin e ishujve Solomon, por nëse një bazë e përhershme kineze vendoset aty, SHBA do të përgjigjet.
I pyetur për mundësinë e ndërhyrjes, ai nuk ka thënë “Jo”, por as ka shkuar më tej. Sipas tij vetëm fakti se përfaqësuesit e ishullit janë të detyruar të zbulojnë tekstin e marrëveshje me konsensusin e Kinës është shqetësues në vetvete.