Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar aleatët e tyre në Bashkimin Europian që Rusia mund të jetë duke menduar pushtimin e Ukrainës, raporton “Bloomberg” këtë të premte.
Tensionet në rajon janë tepër të larta, për shkak të krizës së gazit dhe asaj të emigrantëve që po përshkallëzohet përditë e më shumë në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Uashingtoni po monitoron nga afër rreshtimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën dhe zyrtarët amerikanë kanë njoftuar për këtë kolegët europiane duke u thënë që janë të shqetësuar për një operacion ushtarak, sipas disa burimeve të “Bloomberg”. Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, i hodhi poshtë si të pabazuara këto raportime.
Megjithatë amerikanët mendojnë që Rusia po peshon mundësinë e aneksimit të pjesës lindore të Ukrainës, njëlloj si bëri me Krimenë në vitin 2014.
Që prej atij viti, Ukraina është përfshirë në një konflikt ku separatistët e mbështetur nga Rusia duan të shkëputen. Për t’u kundërpërgjigjur autoritetet atje kanë vendosur të dërgojnë 8500 trupa shtesë në kufirin lindor.
Shqetësimet për shtimin e aktivitetit ushtarak rus në kufi me Ukrainën janë rritur ndjeshëm që prej muajit prill të këtij viti, kur Putin zhvendosi aty rreth 100 mijë ushtarë, por edhe tanke dhe artileri të rëndë, pa asnjë paralajmërim. Më pas ai tha se bëhej fjalë për një stërvitje, por niveli i alarmit në Europë dhe SHBA nuk ndryshoi.
Mundësia e pushtimit të Ukrainës nga Rusia do të ishte një shkëndijë aq e madhe sa edhe për të nisur një Luftë të re Botërore. Për këtë arsye, drejtori i CIA-s, Bill Burns, është takuar personalisht me presidentin rus, Vladimir Putin, siç raportoi CNN këtë javë. Ndërsa shqetësimin për aktivitetin e Moskës e shprehu të mërkurën edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.