Bota SHBA po shqyrton mundësinë e emërimit të një ambasadori në Arktik

SHBA po shqyrton mundësinë e emërimit të një ambasadori në Arktik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë që të emërojnë një ambasador për Arktikun, pas rritjes së aktivitetit ushtarak rus në këtë rajon.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se ambasadori do të vendoset për të çuar përpara politikën e SHBA-së për rajonin polar verior.

Një ditë më parë, Sekretari i NATO Jens Stoltenberg paralajmëroi për kërcënimin që paraqet Rusia në rajonet polare veriore.

Ambasadori i ri i SHBA në Arktik do të angazhohet me 7 vendet e tjera të këtij rajoni; Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Rusinë, me grupe indigjene dhe palë të tjera të interesuara, tha zëdhënësi i DASH.

“Paqja dhe stabiliteti në rajon janë të rëndësisë strategjike për SHBA dhe një prioritet për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken”, shtoi ai.

Ambasadori në Arktik do të emërohet së shpejti nga Sekretari Blinken dhe më pas do të duhet miratimi i Senatit Amerikan.