Më 24 shkurt administrata Trump do të nisë zbatimin e rregullave të reja për emigrantët që janë përfitues të programeve për ndihmë shtetërore në Shtetet e Bashkuara. Rregulli i ri do të ndikojë në procesin e marrjes së vizës emigruese ose leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara nga qytetarë të vendeve të huaja me të ardhura të vogla. Muajin që shkoi ky rregull mori dritën e gjelbër nga Gjykata e Lartë amerikane.
Rregullat e reja u japin autoritet zyrtarëve të emigracionit të refuzojnë aplikimet për ndihma në para ose forma tjera të asistencës nga Shtetet e Bashkuara. “Ata që kanë më shumë pasuri janë më pak në rrezik, ndërsa ata që janë më pak të shkolluar, që kanë familje të mëdha ose të hyra të vogla janë në rrezik të refuzohen”, tha Marg Greenberg nga Instituti për Politike të Emigracionit.
Analisti Greenberg thotë se aplikantët nga shtete të varfra, me popullsi jo të bardhë janë në rrezik të refuzimit të vizave ose lejes së përhershme të qëndrimit, e njohur si karta e gjelbër. “Kjo do të ketë ndikim më të madh negativ tek përfituesit e kartës së gjelbër nga Meksika, Amerika qendrore ose Karaibet, krahasuar me Evropën, Australinë ose Zelandën e Re”, tha ai.
Mbështetësit e rregullit nuk e shohin atë si paragjykues.
“Është rregull neutral që aplikohet tek njerëzit e çdo race, është e njëjta për çdo vend. Nëse jeni një person i pasur i një race në një vendi, ju do të jeni më mirë krahasuar me një person të një race tjetër dhe vendi tjetër”, tha zoti Howell nga Fondacioni Heritage.
Më pak viza dhe leje të përhershme qëndrimi pritet të miratohen me rregullin e ri.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, aplikuesve u rriten mundësitë për vizë emigruese pasi shfaqin dëshmi të pasurive financiare, të hyrave, dëshmi të sigurimeve private shëndetësore, oferta punësimi në ShBA apo zotimin për mbështetje financiare nga dikush jashtë Shteteve të Bashkuara.
Disa këtë e shohin si mundësi për të ruajtur fondet publike dhe përmirësimin e tregut të punës për amerikanët.
Korporata të mëdha amerikane cilësuan rregullin si pengesë për punëdhënësit amerikanë që duan të angazhojnë talente të huaj.
Rregulli po hyn në fuqi pasi drejtori i zyrës së menaxhmentit dhe buxhetit në administratën Trump, Mick Mulvaney, u citua të thotë se ShBA ka nevojë për emigrantë të ligjshëm.
Të hënën fillon zbatimi i rregullit në të gjitha shtetet amerikane, përveç Ilinoit, që është në pritje të vendimit nga gjykata federale. /VOA