Momente tensioni dhe paniku mes fuqive të mëdha botërore në Niger të Afrikës. Personeli ushtarak i Rusisë ka hyrë në një bazë ajrore ku gjenden trupat amerikane.
Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i lartë i Pentagonit për Reuters. Kjo lëvizje e Moskës në shtetin afrikan vjen pas vendimit të juntës së Niger për të dëbuar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.
Pentagoni ka rreth 1000 mijë personel ushtarak në Niger, të cilët deri në grushtin e shtetit të vitit të kaluar kanë qenë një partner kyç i Uashingtonit në luftën kundër kryengritësve që kanë vrarë mijëra njerëz dhe zhvendosur miliona të tjerë.
Pentagoni tregon se forcat ruse nuk po përzihen me trupat amerikane, por po përdorin një zonë tjetër në bazën ajrore.
“Rusët janë në një kompleks të veçantë dhe nuk kanë qasje në zonën ku gjenden forcat amerikane, apo akses në pajisjet tona. Ju e dini, unë jam gjithmonë i fokusuar në sigurinë dhe mbrojtjen e trupave tona. Këtë do ta kemi në vëmendje. Por nuk shoh ndonjë problem në mbrojtjen e ushtarëve tanë”, tha Lloyd Austin, sekretar i mbrojtjes i SHBA.
Kjo lëvizje e ushtrisë ruse, i vendos trupat amerikane dhe ato ruse në një distancë të afërt për herë të parë, në një kohë kur rivaliteti diplomatik dhe ushtarak mes superfuqive është rritur në nivele të paprecedenta për shkak të luftës në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë detyruar të tërheqin një sërë trupash nga vende të ndryshme të Afrikës, pas disa kryengritjeve për t’u larguar nga qeveritë perëndimore.
Rusia po investon shumë që të shtojë ndikimin e saj në atë pjesë të botës, madje në Mali po operojnë mercenarët e grupit famëkeq Wagner.