“Financial Times” citon zyrtarë amerikanë të thonë se Rusia ka kërkuar pajisje ushtarake nga Kina që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt. Kjo ka shqetësuar Shtëpinë e Bardhë, pasi Kina mund të vendosë të ndihmojë Rusinë që të minojë përpjekjet e Perëndimit për të ndihmuar Ukrainën.
Një tjetër burim tha gjithashtu për “Financial Times” se “Shtetet e Bashkuara po përgatiten për të paralajmëruar vendet aleate për situatën, pasi ka indikacione që Kina mund të jetë duke u bërë gati për të ndihmuar Rusinë”.
“Edhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë gjithashtu se ka shenja që Rusisë po i mbarojnë disa lloj armatimesh teksa lufta në Ukrainë po arrin javën e tretë”, shkruan “Financial Times”.
Kina është përpjekur të ruajë një status neutral sa i përket të paktën deklaratave zyrtare në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë. Madje Pekini ka bërë disa herë thirrje për shmangie të përshkallëzimeve. Por aleanca mes Kinës dhe Rusisë është e njohur dhe e konfirmuar nga liderët e të dy shteteve.
SHBA: Sanksione edhe Kinës nëse ndihmon Rusinë
Kina do të përballet me pasoja të rënda nëse e ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet. Paralajmërimi i ashpër erdhi nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, i cili do të takohet në Romë të hënën me kryediplomatin kinez Yang Jiechi. Sullivan i tha rrjetit televiziv CNN se Shtetet e Bashkuara besojnë se Kina ishte në dijeni për planet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën, por jo për hollësitë.
Tani, tha Sullivan, Uashingtoni po vëzhgon nga afër se deri në çfarë mase Pekini do t’i ofrojë mbështetje ekonomike ose materiale Rusisë.
“Ne po i komunikojmë drejtpërdrejt, privatisht Pekinit, se do të ketë absolutisht pasoja nëse ndihmon për shmangien e sanksioneve ose e mbështet Rusinë për t’iu shmangur sanksioneve,” tha Sullivan.
Një zyrtar i lartë i administratës së Biden tha se lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në sigurinë rajonale dhe globale do të ishte një “temë e rëndësishme” gjatë takimit të Sullivan me Yang, duke pasur parasysh lëvizjet e Kinës për t’u lidhur me Rusinë për të çuar përpara vizionin e tyre për rendin botëror.
Takimi, i cili ishte në planifikim prej disa kohësh, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga Uashingtoni dhe Pekini për të mbajtur kanale të hapura komunikimi dhe për të menaxhuar konkurrencën midis dy ekonomive më të mëdha të botës, tha zyrtari. Nga takimi nuk pritej ndonjë rezultat specifik, shtoi burimi, duke folur në kushte anonimiteti.