Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se SHBA-të dhe partnerët e saj do të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit të Ballkanit. Reagimi i tij vjen pas vendimit të Departamentit të Thesarit të SHBA për të sanksionuar 7 individë dhe një ent nga 4 vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin.
“Sot, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit ndërmorën veprime për të caktuar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive. SHBA dhe partnerët si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, thotë Blinken në një postim në Twitter.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
Ndërkohë, po sot qeveria e Britanisë së Madhe sanksionoi dy politikanë pasi kanë minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës. “Milorad Dodik dhe Zeljka Cvijanovic nuk lejohet të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar si dhe të përdorin ose të kenë akses në asnjë pasuri që mund të kenë në territorin britanik”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Britanisë në Twitter, teksa përcjell edhe vendimin e sekretares së Jashtme.