Shtetet e Bashkuara duhej të fitonin dhe e bënë. Sfida e luajtur në “Al Thumama” u vendos nga goli i Christian Pulisic në minutën e 38. Lojtari i Chelsea shfrytëzoi një asist të Sergino Dest dhe shënoi golin e kualifikimit për skuadrën e tij, që në raundin e 1/8-ve do të sfidojë Holandën e Louis Van Gaal.
Pulisic u dëmtua në momentin e golit dhe u detyrua të mos zbriste në fushë në pjesën e dytë. SHBA dominoi 45 minutat e para dhe në minutat shtesë realizoi edhe me anë të Timothy Ëeah. Sulmuesi i Lille shënoi një gol të bukur, por VAR-i e anuloi për pozicion të parregullt milimetrik. SHBA u mbrojtën dhe menaxhuan mirë fraksionin e dytë të takimit, pavarësisht insistimit të lojtarëve të Iranit, por goli i barazimit nuk erdhi dhe në fund pati festë amerikane dhe lot iranianë.
Ndeshja mes kombëtareve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit sot pasdite në Kampionatin në Katar u prit me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.
Anglia eliminon Uellsin, në 1/8-at do të ndeshet me Senegalin
Një minutë për të mbyllur llogaritë. Anglia eliminoi Uellsin në fillim të pjesës së dytë me një nisje të zjarrtë. Në minutën e 50 Rashford shënon golin e parë. Një minutë më vonë, Foden shënon të dytin pas një asisti të Kane. Më pas sërish Rashford që shënon në minutën e 68 duke siguruar kalimin për në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, ku do të përballet me kampionin në fuqi të Afrikës, Senegalin.
Anglia mbyll kështu fazën në grupe si kryesuese me 7 pikë të grumbulluara në tre ndeshje, 9 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar, ndërsa në turin tjetër do të gjejë përballë Senegalin, që u rendit i dyti në grupin A.