Ndërkohë që Rusia përdori për herë të parë në një luftë raketën e saj hipersonike, kur goditi një bazë ushtarake ukrainase muajin e kaluar, edhe Shtetet e Bashkuara testuan versionin e tyre të predhës që udhëton pesë herë mbi shpejtësinë e zërit.
Testimi u krye në muajin mars, raporton CNN, por u mbajt i fshehtë për dy javë, për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Rusinë, në një kohë kur Presidenti Joe Biden do të niste udhëtimin e tij në Europë.
Raketa u lëshua nga një avion bombardues B-52 pranë bregut perëndimor të SHBA, tha për CNN një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes që kishte dijeni për çështjen. Raketa u ngjit në 19 kilometra lartësi duke përshkruar një distancë prej mbi 480 kilometrash. Duke qenë se udhëtimi u krye me një shpejtësi prej mbi 6100 km/h, u realizua për më pak se 5 minuta. Testimi u krye vetëm pak ditë pasi Rusia përdori armën e saj hipersonike në Ukrainë.
Testimi u konsiderua i suksesshëm, pasi i përmbushi të gjitha objektivat. Duke qenë se Rusia dhe Kina kanë investuar ndjeshëm në këtë drejtim, edhe Shtetet e Bashkuara kanë ndarë në buxhetin e tyre një shifër rreth 7,2 miliardë dollarë për zhvillimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, ku futen edhe raketat hipersonike. Në një raport të qeverisë amerikane të vitit të kaluar, në periudhën 2015-2024, SHBA ka shpenzuar 15 miliardë dollarë në zhvillimin e këtyre armëve.