Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të zhgënjyera nga aksioni i qeverisë “Kurti” për mbylljen e 5 komunave ilegale në veri të Kosovës.
Në një reagim në rrjetet sociale Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, teksa mbështeti deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, i bëri thirrje urgjente kryeministrit Albin Kurti që të ndalë veprimet e pakoordinuara me miqtë ndërkombëtar.
“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët. I bëjmë thirrje urgjente kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, tha James O’Brien.
Shtetet e Bashkuara theksojnë se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe se veprimi i fundit i autoriteteve të Prishtinës nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas SHBA, këto veprime të njëpasnjëshme reflektojnë një përkeqësim real të partneritetit mes Prishtinës dhe Uashingtonit.