Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson sugjeroi se Venezuela mund të përballet me një grusht shteti.
Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara nuk nxisin ndryshim regjimi dhe se nuk kishte të dhëna për ndonjë aksion të mundshëm.
Por, parashikimin e tij, ai e bazoi në historinë e shkuar të Amerikës Latine, ku ushtria ka ndërhyrë shpesh në kriza serioze.
Tillerson i bëri këto komente gjatë një vizite në Universitetin e Teksasit, para se të nisë turneun e tij diplomatik në Amerikën Latine.
Madje, Tillerson e shfrytëzoi fjalimin edhe për të ironizuar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, duhet të strehohet në Kubë.
“Nëse situata bëhet shumë e nxehtë për të, jam i sigurtë se miqtë e tij në Kubë do t’i gjejnë një vilë në plazh”, deklaroi Tillerson, i cili tha se ushtria është agjent ndryshimi kur gjërat janë shumë keq dhe lidershipi nuk i shërben më popullit.
Prej muajsh, Venezuela është në një krizë të thellë ekonomike, aq sa njerëzit janë detyruar të plaçkisin për t’u ushqyer.
Ndërsa Maduro fajëson opozitën dhe agjentët e huaj për krizën, pakënaqësitë në popull shtohen gjithnjë e më shumë, ashtu si dhe zërat për ndërhyrjen e ushtrisë.