Kandidatura e përzgjedhur nga presidenti Donald Trump për ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Heather Nauert është tërhequr nga gara për postin në fjalë.
Nauert, ish-prezantuese televizive për “Fox News”, tha përmes një deklarate, se vendimi është marrë “në interesin më të mirë të familjes” së saj.
“Dy muajt e fundit kanë qenë torturues”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Trump e njoftoi kandidaturën e Nauert si të preferuarën e tij për rolin në OKB gjatë dhjetorit të kaluar. “Ajo është shumë e talentuar, e zgjuar, e shpejtë dhe mendoj se, ajo do të respektohet nga të gjithë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë asokohe.
Nauert, e cila mban aktualisht rolin e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, do të mund të zëvendësonte Nikki Haleyn, e cila njoftoi dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar, për ta lënë më pas postin e ambasadores në OKB në fund të vitit 2018.
Mirëpo shumëkush ngriti dyshime nëse Nauert, e cila ka më pak se dy vite eksperiencë në qeverisje dhe kurrë nuk është marrë me marrëdhëniet ndërkombëtare, kishte eksperiencën e duhur për t’u përballur me çështje aq shumë komplekse të politikës së jashtme, siç diskutohen nga ambasadorët e OKB-së.
Roli në fjalë u është dhënë zakonisht njerëzve me aftësi të shkëlqyera negociuese, apo edhe emra të shquar të politikës së jashtme amerikane. Ambasadorët e mëparshëm kanë qenë dijetarë, diplomatë apo edhe politikanë të zëshëm.
Ndërkohë, burime të pakonfirmuara për mediet amerikane thonë se Nauert e mori vendimin për t’u tërhequr nga ky rol, pasi Shtëpia e Bardhë ishte njoftuar për një “problem” pas kontrollit të figurës së saj. “Bloomberg” raporton se ajo me bashkëshortin e saj kanë punësuar një dado emigrante, e cila ka hyrë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara, por që nuk zotëron vizën e duhur për punësim.