Sipas drejtorit të CIA-s, William Burns, pa ndihma të tjera nga SHBA-ja Ukraina mund ta humbasë luftën kundër Rusisë deri në fund të vitit. Nëse Kongresi Amerikan nuk i miraton ndihmat e reja, ekziston “një rrezik shumë real që ukrainasit mund të humbasin në fushën e betejës deri në fund të vitit 2024 ose të paktën që Putini të arrijë një pozicion ku ai në thelb mund të diktojë kushtet politike”, tha shefi i Shërbimit Sekret Amerikan. “Në këtë rast rrezikojmë shumë.” – tha Burns.
Pas muajsh bllokimi udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, njoftoi se këtë fundjavë do të votohet për mbështetjen e ardhshme të SHBA-së për Ukrainën.
Në një dinamikë të rrallë dypartiake, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një paketë sigurie prej 95 miliardë dollarësh ndihmë për Izraelin, Ukrainën dhe aleatët e SHBA-së në Azi. Kjo ndodhi pasi kapërcimit të një pengesë procedurale me ndihmën e një aleance deputetësh nga të dyja palët. Votimi përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve pritet këtë fundjavë.
Nëse dhoma e dytë e miraton paketën e ndihmave për Ukrainën, e ka radhën Senati. Presidenti amerikan Joe Biden tha se dëshiron ta nënshkruajë ligjin “menjëherë” pas vendimit të Kongresit.
Vendet e NATO-s i premtojnë Ukrainës ndihmë për mbrojtjen ajrore
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, vendet e NATO-s duan t’i ofrojnë Ukrainës sisteme shtesë për mbrojtjen ajrore. “NATO ka inventarizuar burimet ekzistuese brenda aleancës dhe ka sisteme që mund të vihen në dispozicion të Ukrainës”, tha Stoltenberg pas një video-konference me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.