Bota Shefi i Epidemiologjisë në Suedi: Covid-19 mund të ketë mbërritur në Evropë...

Shefi i Epidemiologjisë në Suedi: Covid-19 mund të ketë mbërritur në Evropë që në nëntor

Shefi i TASK-Forcës kundër pandemisë Covid-19 në Suedi, Anders Tegnell, ka pretenduar se koronavirusi i ardhur nga Kina mund të ketë qenë në vendin nordik që në muajin nëntor.

Tegnell i bëri komentet e tij në një konferencë për shtyp të martën duke thënë se mund të ketë pasur raste individuale të virusit kinez që prej nëntorit 2019. Por ai shtoi se rastet nuk do të kishin ndonjë ndikim të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit.

“Unë mendoj se ju mund të gjeni disa raste midis udhëtarëve që vinin nga Wuhan, që ishin këtu në nëntor, dhjetor të vitit të kaluar. Nuk duket aspak e çuditshme, shumë e mundshme”, tha epidemiologu shtetëror, sipas SVT.

“Rasti francez e sugjeron atë dhe ka histori të ngjashme në vendet e tjera”, shtoi Tegnell, duke iu referuar komenteve të fundit nga mjeku francez Yves Cohen i cili tha këtë javë se një pacient i trajtuar në 27 Dhjetor kishte koronavirus.

Një tampon i pacientit francez, 43-vjeçarit Amirouche Hammar nga Bobigny, u mor në dhjetor por nuk u testua deri vonë por pas testimit ai u gjet pozitive për koronavirus.

Hammar pretendoi se ai nuk ishte larguar nga Franca para sëmundjes së tij, por u vërejt se gruaja e tij punonte pranë aeroportit Charles De Gaulle dhe mund të ketë qenë në kontakt me udhëtarët kinezë.

Franca dhe Suedia nuk janë vendet e vetme që raportojnë raste me Covid-19 shumë përpara se koronavirusi të shpërthente në Evropë.

Në Itali, mjeku Pietro Poidomani pretendoi se kishte parë raste që ngjajnë me simptoma të koronavirusit që në 7 janar.

Poidomani deklaroi se ai u përpoq të kontrollonte grafitë e pacientëve me probleme në mushkëri në një spital në Bergamo, por ishte refuzuar. Bergamo vijon të jetë një nga zonat më të prekura në Itali.

Në rajonin e Lombardisë, ku ndodhet Bergamo, një analizë e kohëve të fundit e rasteve tregon gjithashtu se virusi kishte qenë në Itali para rastit të parë zyrtar më 21 shkurt, duke thënë se deri në 1.200 persona kishin qenë të prekur nga Covid-19, para ‘pacientit zero’.