“Aleatët e Nato-s do të përdorin mjetet diplomatike për t’u siguruar që talebanët do t’i qëndrojnë zotimeve të tyre. Nëse nuk binden, atëherë do të ketë sanksione”, deklaroi shefi i përgjithshëm i aleancës më të madhe ushtarake të globit, Jens Stoltenberg. Pasi morën kontrollin e Afganistanit, talebanët u zotuan të falin afganët që kanë punuar me forcat ndërkombëtare e thanë se do t’u sigurojnë atyre një largim të sigurt.
Raportet që mbërrijnë nga terreni ndërkohë, tregojnë se kjo nuk po zbatohet në të gjithë rastet. Shumë vende perëndimore janë përballur me një sfidë të vërtetë për sa i takon evakuimit të qytetarëve të tyre dhe stafit lokal. “Problemi nuk është mungesa e avionit. Shumë aleatë e kanë deklaruar hapur se janë gati t’i marrim afganët. Çështja është që ata nuk po hyjnë dot në aeroport”, u shpreh Stoltenberg.
Kreu i Nato-s theksoi edhe një herë se presin që talebanët të garantojnë kalim të mirë.
“I kemi disa mekanizma në dorë për t’i bindur, dhe do t’i përdorim”, tha ai. Stoltenberg e pranoi se kjo situatë është e vështirë për Nato-n, ndërsa shtoi se aleatët duhet të jenë të sinqertë e t’i përgjigjen edhe pyetjeve të vështira mbi mësimet duhet nxjerrë nga e gjithë kjo ndodhi.