Jens Stoltenberg – zyrtari më i lartë civil i aleancës – pritet të japë dorëheqjen siç ishte planifikuar në fund të këtij viti.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk ka ndërmend të zgjasë mandatin e tij për herë të katërt, tha të dielën aleanca ushtarake.
“Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg u zgjat tre herë dhe ai shërbeu gjithsej gati nëntë vjet,” tha zëdhënësja Oana Lungescu.
Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm skadon në tetor të këtij viti dhe ai nuk ka ndërmend të kërkojë një vazhdim tjetër të mandatit të tij.
Deklarata vjen pas një raporti të gazetës gjermane Welt am Sonntag se shtetet anëtare donin që ai të qëndronte edhe më tej në post teksa Rusia po bën luftë në Ukrainë.
Bilanci i Stoltenberg-ut
Ish-kryeministri norvegjez e mori postin e tij në selinë e NATO-s në Bruksel në tetor 2014.
Diplomatët nga disa shtete të NATO-s kishin spekuluar gjithashtu se mandati i Stoltenberg-ut mund të zgjatet përsëri deri në një samit vitin e ardhshëm për të shënuar 75 vjetorin e aleancës.
Stoltenberg-u është aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i dytë më i gjatë në detyrë, i eklipsuar vetëm nga holandezi Joseph Luns, i cili e mbajti postin nga viti 1971 deri në 1984.
Ai vlerësohet veçanërisht për zbutjen e një mosmarrëveshjeje midis ish-presidentit të SHBA, Donald Trump dhe aleatëve evropianë mbi shpenzimet e mbrojtjes.
Personeli i fundit i NATO-s dhe forcat amerikane u larguan nga Afganistani në gusht 2021, dhe Stoltenberg-u gjithashtu mbikqyri përgjigjen e NATO-s ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës në vazhdim.
Krerët e NATO-s pritet të emërojnë një sekretar të ri të përgjithshëm deri në korrik, kur ata të takohen për një samit në Vilnius./DW