Koha për shpëtimin e traktatit bërthamor me Rusinë po kalon. Paralajmërimi vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Numri një i aleancës veri-atlantike u zotua për në kundërpërgjigje të matur mbrojtëse, nëse Moska nuk do t’i rikthehej angazhimeve të marrëveshjes deri në afatin e përcaktuar të 2 gushtit. “Duhet të përgatitemi për një botë me më shumë raketa ruse”, u shpreh Stoltenberg.
Marrëveshja për forcat bërthamore me rreze të mesme, e nënshkruar në vitin 1987 nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, ndalonte raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të tërhiqej nga traktati në muajin shkurt, duke akuzuar Rusinë për shkeljen e kushteve. Moska i mohoi pretendimet, por i pezulloi edhe angazhimet e saj, duke njoftuar planet për krijimin e një sistemi të ri raketor.
Stoltenberg tha se raketat ruse, që përbëjnë një shkelje të qartë të traktatit, kanë kapacitet bërthamor, evidentohen me shumë vështirësi dhe mund të arrijnë qytete europiane në pak minuta. “Kjo është serioze. Traktati për forcat bërthamore me rreze të mesme ka qenë thelbësor në kontrollin e armëve për dekada me radhë dhe tani po shohim dështimin e tij”, shtoi shefi i NATO-s.