Shqipëria nuk duhet të jetë skeptike për të vijuar procesin e vaksinimit me AstraZeneca. Në një intervistë për Televizionin Klan drejtori i sapo emëruar i zyrës së OBSH në Shqipëri Gerlad Rockenschaub deklaron se nuk ka asnjë arsye që përdorimi i kësaj vaksine të pezullohet.
“Agjencia Europiane e Barnave po i shikon me shumë kujdes këto incidente dhe në këtë moment nuk ka asnjë arsye për të pezulluar vaksinimin me vaksinën AstraZeneca. Ajo që është me rëndësi në këtë moment është që të gjitha incidentet janë duke u investiguar me shumë kujdes dhe deri më tani nuk ka asnjë indicie që ato janë të lidhura me procesin e vaksinimit”, tha Rockenschaub.
Qarkullimi i variantit britanik në Shqipëri apo dhe i mutacioneve të reja duhet te rrisë vëmendjen për të monitoruar me kujdes situatën. E nëse shifrat rriten, OBSH rekomandon forcim të masave.
“Ajo që ne dimë për këtë mutacion të ri dhe që na shqetëson është që transmetohet më thjeshtë sesa virusi origjinal. Mendoj se duhet t’i monitorojmë rastet me kujdes dhe duke qenë se rastet mund të fillojnë të rriten përsëri mendoj që është koha të mendojmë për masa me të forta dhe mendoj që Komiteti Teknik i Ekspertëve do t’i shqyrtojë ato”.
Fundi i pandemisë ende nuk dihet, por shtimi i vaksinave në lloj dhe sasia e shoqëruar me masat e tjera mbrojtëse, rrit shpresën për të vënë nën kontroll Covid-19.
“Vaksinat do të na ndihmojnë të përmbajmë pandeminë por duhet theksuar që është shumë e rëndësishme në këtë fazë të forcohen masat e sigurisë së shëndetit publik distanca sociale, vendosja e maskës, higjiena e duarve. Të gjitha mbeten shumë të rëndësishme për t’i ndjekur në këtë moment”.
Shqipëria numëron aktualisht mbi 34 mijë të infektuar me koronavirus dhe mbi 2 mijë viktima në 1 vit pandemie. Që prej 11 Janarit, kohë kur ka nisur procesi i vaksinimit janë vaksinuar rreth 25 mijë mjekë, të moshuar dhe mësues.