Drejtori Ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla deklaroi se një vaksinë vjetore për COVID-19 do të ishte më mirë se sa të ofrohen doza të shpeshta përforcuese.
Vaksina COVID-19 e Pfizer/BioNtech ka treguar të jetë efektive kundër sëmundjeve të rënda dhe fataliteteve të shkaktuara nga varianti Omicron, por më pak efektive në parandalimin e transmetimit.
Në një intervistë të fundit Bourla u pyet nëse ai parashikon që dozat përforcuese do të ofrohen rregullisht çdo katër deri në pesë muaj. “Nuk do të ishte një skenar i mirë. Unë shpresoj që të kemi një vaksinë që do të duhet ta bëjmë një herë në vit”, u shpreh ai.
“Ne po përpiqemi të shohim nëse mund të krijojmë një vaksinë që jep mbrojtje nga Omicron, por që është efektiv edhe për variantet e tjera dhe kjo mund të jetë një zgjidhje”, shtoi më tej ai.
Një studim paraprak i publikuar nga një qendër mjekësore në Izrael zbuloi se një dozë e katërt rrit antitrupat në nivele edhe më të larta se e treta, por nuk është e mjaftueshme për të shmangur Omicron.
22 milionë persona u infektuan, ndërsa 53 mijë humbën jetën nga koronavirusi në javën e fundit në mbarë globin.
Sipas të dhënave zyrtare Worldometers infektimet me Covid në rang global gjatë javës që lamë pas patën një rritje me 8 për qind krahasuar kjo me javën pararendëse, ndërsa fatalitet u rritën me 7 për qind.