Shefi i Pfizer, Albert Bourla, ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kryeministrit Edi Rama. Ai ka vizituar qendrën e ruajtjes së vaksinave, si dhe qendrën e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”. Po ashtu, drejtuesi i Pfizer ka folur për mediat ku ka thënë se është impresionuar nga kreu i qeverisë Edi Rama kur e ka vizituar vitin e shkuar në New York.
Ai u shpreh se vizita u krye në mes të pandemisë, kur lëvizja ishte e ndaluar. Edhe pse Bourla ishte ofruar për një bisedë me videocall, Rama nuk ka pranuar. Kësisoj, shefi i Pfizer ka thënë se janë hapur zyrat në New York në mënyrë që të realizohej takimi. Bourla tha se Rama është një lider i mirënjohur jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Ballkan e Europë.
“Dua të falenderoj Kryeministrin fillimisht për nderin që është me mua sot dhe për ftesën për të ardhur në Shqipëri. E njihja Kryeministrin, pasi ai është një lider i mirënjohur jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe Europë në përgjithësi. Por pata kënaqësinë ta takoja personalisht vitin e shkuar, në fillim të pandemisë, kur erdhi vullnetarisht në New York për të diskutuar për furnizimin me vaksina për vendin e tij. U impresionova sepse ishte një kohë kur askush nuk po vizitonte apo po udhëtonte. Ishin kohë shumë të vështira. Unë i ofrova që të bisedonim me videocall, por ai tha që donte të vinte dhe të më takonte personalisht. Dhe unë e vlerësova shumë këtë. Më pas hapëm zyrat në New York në mënyrë që të kishin këtë takim. Ishte shumë e qartë, që ai jo vetëm kujdeset për vendin e tij, por që kishte një plan sesi të kryente vaksinimin. Kjo për mua ishte shumë e rëndësishme për të kuptuar që vaksinat që mund të shkonin në Shqipëri mund të përdoreshin tek njerëzit dhe isha shumë i lumtur që mundëm të ndihmonim Shqipërinë”, tha Bourla.