Shefi i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka vizituar këtë të hënë Shqipërinë. Pasi pa nga afër vendin ku ruhen vaksinat në Shqipëri, së bashku me Kryeministrin Rama, ai vizitoi edhe qendrën e vaksinimit të ngritur në stadiumin Air Albania.
Kreu i qeverisë nuk kurseu mirënjohjen dhe falenderimet për Bourla-n, pasi tha se i hapi derën Shqipërisë në një moment të vështirë, ku vendi nuk e kishte të qartë perspektivën për vaksinimin.
“Shumë nderim që është bërë një mik i yni, mik i Shqipërisë. Na hapi derën në momentin më të vështirë kur shkuam në Nju Jork në kushtet ku nuk kishim asnjë perspektivë të qartë pasi vendet e rajonit nuk u përfshinë në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Folëm gjatë në Nju Jork, edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do zgjidhje na dha fjalën. Falë angazhimit të tij, ne filluam vaksinimin më shpejt se vendet e tjera të rajonit. Dua që t’ia shpreh atij vetë në sy këtu, në shqip, atë që e kam shprehur në mënyrë të përsëritur, qoftë këtu, qoftë në takimet që kemi pasur, mirënjohje pa fund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Bourla u shpreh i lumtur që ndodhet në Shqipëri dhe i impresionuar nga Kryeministri Edi Rama.
“Isha shumë i lumtur që mundëm të ndihmonin Shqipërinë. Jam shumë i impresionuar me lidershipin e kryeministri shqiptar. Është një nder i madh për mua dhe nuk do harroj kurrë dhuratën që më dhe pikturën e bërë nga vetë ju që e kam në zyrën time në Nju Jork”, tha Bourla.