Aktualitet Shefi i SPAK: Berisha po hetohet për Gërdecin dhe klubin “Partizani”

Shefi i SPAK: Berisha po hetohet për Gërdecin dhe klubin “Partizani”

Drejtues i SPAK, Arben Kraja, në një intervistë për RTSH, ka folur edhe në lidhje me hetimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kraja tha se kryetari i PD-së po hetohet në lidhje me ngjarjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona.

“Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë.

Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi.

Ne po hetojmë ngjarjen. Ish-Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, tha Kraja.

Kraja tha se nën hetim është edhe çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, por nuk dha detaje.

“Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish-kryeministri apo ish-presidenti.

Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi shefi i SPAK.

I pyetur nëse këto çështje kanë lidhur me deklaratën e bërë nga DASH, Kraja shtoi se ato i përkasin qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri.

“Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera. Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja. I pyetur nga gazetarja Elona Meço nëse ka marrë kontakt me SHBA për të dhëna shtesë ndaj Berishës, Kraja zgjodhi të mos komentojë: “Nuk kam ndonjë koment për të bërë për këtë”.